Ambasadori Uollers: Qeveria VMRO-BDI përgjegjëse për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike

Ambasadori amerikan në Shkup Poll Uollers, në intervistë për emisionin ‘Rruga Drejt’ te televizionit “Alsat”, që emetohet sonte me fillim në ora 20:45, ka folur për çështjet aktuale dhe zhvillimet politike në vend.

Me theks të veçantë është ndalur në marrëdhëniet ndëretnike dhe procesin gjyqësor Monstra. Qeveria dhe partitë që janë pjesë e saj janë përgjegjëse për përkeqësimin e marrëdhënieve ndëretnike të cilat në tre vitet e fundit kanë shënuar regres ka thënë Uollers.

Zyrtarisht nuk është kërkuar përfshirja e FBI-së në procesin Monstra, por edhe të kërkohej kjo nuk besoj se mund të ndodhë, është shprehur Uollers. Sipas tij protestat kundër vendimit gjyqësor për rastin Monstra nuk ishin për të përkrahur krimin në Smilkovcë, por për të shprehur mosbesimin ndaj sistemit dhe institucioneve ka shtuar Uollers.

“Mendimi im është se në tre vitet e fundit komunitetet po largohen prej njëri tjetrit më tepër se që afrohen, dhe qeveria si qeveri me të gjitha partitë në të, mbanë përgjegjësi të bën atë që mundet për ta ndryshuar këtë. Gjatë protestave të verës të kaluar pamë se çështja nuk ishte për vrasjen, që ishte një krim i tmerrshëm, të gjithë pajtohen se kushdo që ta ketë bërë duhet të sillet para drejtësisë dhe të dënohet plotësisht. Të gjithë përcjellim ngushëllimet tona familjeve të të vrarëve, pasi ata ende përjetojnë dhimbje të madhe, dhe kuptoj se janë të hidhëruar dhe të shqetësuar. Mirëpo, ata që protestonin verës, nuk dolën në demonstrate për shkak të krimit, të gjithë do të pajtoheshin se ai ishte një krim i tmerrshëm. Ata shprehnin mosbesimin në procesin që u zhvillua, dhe kjo është një tregues se kur populli ka aq shumë mosbesim në sistemin, nevojitet punë për të “shëruar” këtë mosbesim, për ta larguar atë mosbesim. Nuk kemi marrë kërkesë zyrtare nga qeveria, që është e nevojshme. Ka pasur biseda vetëm me BDI-në për këtë çështje. Duhet të them se nuk e di nëse kjo është e mundshme edhe nëse arrin një kërkesë e tillë, pasi që para së gjithash FBI fatkeqësisht ka shumë punë në vendin tim, dhe zakonisht nuk do përfshihet në raste në vende tjera ku nuk e njohin sistemin. Pra, nuk mund të garantoj se edhe po të kishte kërkesë, do të mund ta pranonim. Sidoqoftë, deri tani nuk ka pasur kërkesë të tillë”, deklaroi Poll Uollers, Ambasador i SHBA-së në Maqedoni.