HIV po bëhet më pak vdekjeprurës?!

0Shkencëtarët sugjerojnë se virusi mund të bëhet “pothuajse i padëmshëm”, pasi vijon të evoluojë. Sipas një studimi shkencor të kryer kohët e fundit, virusi HIV është zhvilluar për t’u bërë më pak vdekjeprurës.

Ekipi shkencor në Universitetin e Oksfordit tregon se virusi është duke u përshtatur me sistemet tona imunitare. Sipas tij, virusit i duhet më shumë kohë që të shkaktojë SIDA-n, dhe kjo lejon që ndryshimet në virus të nxisin përpjekje për të përmbajtur dhe kufizuar sëmundjen.

Kjo nënkupton se virusi bëhet më pak infektiv, dhe për rrjedhojë kërkon më shumë kohë për të shkaktuar SIDA-n. Profesor Goulder deklaroi për BBC News:

“Ne jemi duke vëzhguar evolucionin që po ndodh para nesh dhe është e habitshme se sa shpejt po ndodh ky proces. Virusi ka ngadalësuar aftësinë e tij për të shkaktuar sëmundje, dhe kjo gjë do të ndihmojë për të luftuar për eliminimin e tij.”

Shkencëtarët sugjerojnë se virusi mund të bëhet “pothuajse i padëmshëm”, pasi vijon të evoluojë. HIV është një mjeshtër i maskimit. Ai përshtatet shpejt me sistemin imunitar.

Më shumë se 35 milionë njerëz në mbarë botën janë të infektuar me HIV dhe brenda trupave të tyre zhvillohet një betejë shkatërruese ndërmjet sistemit imunitar dhe virusit.