Shifrat e “frikshme” të Shkëlzen Gashit

0Shkëlzen Gashi është i suspenduar për ndeshjen e fundit të vitit dhe ai tashmë mund të bëjë bilancin për 2014-n. Ai mund të shikojë prapa për një vit sensacional, ka shkruar të enjten sajti zyrtar i Superligës së Zvicrës në futboll, transmeton KohaD.

Reprezentuesi i Shqipërisë, Gashi, ka shënuar gjatë këtij viti plot 25 gola.

“Gashi për kohë të gjatë është vlerësuar talent i madh. Për rreth dhjetë vite luajti për klube të ndryshme nëpër Zvicër, por gjithnjë mbeti prapa pritjeve. Por në vitin 2014 ai shpërtheu. Ish-juniori i Zuerichut ka shënuar 14 gola për Grasshopperin në pranverë dhe 11 të tjerë për Baselin në vjeshtë.

Në 31 ndeshje ai ka gjetur portën e kundërshtarit mesatarisht çdo 96 minuta. Mesatarja bëhet edhe më e mirë nëse merren për bazë edhe shtatë asistimet që ka bërë. Kjo do të thotë që ai ishte i përfshirë çdo 75 minuta në gol të shënuar”, ka shkruar sfl.ch.

Gashi 26-vjeçar ka luajtur për Zuerichun, Schaffhausenin, Bellinzonan, Xamaxin, Aaraun, Grasshopperin dhe tani për Baselin. Ka luajtur për U-19 e U-21 të Zvicrës e tani është pjesë e Shqipërisë. Edicionin e kaluar ishte realizatori më i mirë i Superligës së Zvicrës, e në atë rrugë është edhe këtë edicion.